Në pritje të vendimit të Partisë Socialiste për heqjen ose jo të imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, ekspertë të ligjit theksojnë se Kuvendi ka një rol të kufizuar procedural dhe nuk mund të shndërrohet në pengesë për organet e drejtësisë.
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mbylli shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut pa një qëndrim të unifikuar mes palëve. Ndërkohë, vendimi përfundimtar pritet të merret në seancë plenare.
SPAK ka kërkuar masën e arrestit me argumentin se ekzistojnë indicie për prishje provash dhe intimidim të dëshmitarëve. Aktualisht, Balluku ka në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit, ndërsa çështja e pezullimit nga detyra është në pritje të arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas ekspertëve të cituar nga BIRN, neni 73 i Kushtetutës synon të mbrojë ushtrimin e mandatit parlamentar dhe jo të krijojë një mburojë ndaj ndjekjes penale. Ata theksojnë se parlamenti nuk ka kompetencë të shqyrtojë themelin e çështjes penale, por vetëm të autorizojë ose jo vazhdimin e procedurave.
Juristët paralajmërojnë se çdo zgjatje artificiale e procedurës ose interpretim që e përdor imunitetin si instrument bllokues bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Vendimi i Kuvendit pritet të jetë vendimtar jo vetëm për ecurinë e hetimeve, por edhe për mënyrën se si do të interpretohet në praktikë balanca mes pushtetit ligjvënës dhe atij gjyqësor në raste që përfshijnë zyrtarë të lartë.
