Në Bashkinë e Tiranës janë shtuar gjithnjë e më shumë njerëzit që besojnë se në aramishten e vjetër, emri “Arbian” përkthehet në “Nesti”. Natyrisht, batuta për gjuhën e lashtë hebraike nuk ka asnjë bazë shkencore.
Ajo është një humor i zi, që tregon se njerëzit e Erion Veliajt kanë krijuar bindjen se pas fabulës së anonimit “Nesti Angoli”, personazhit që dorëzoi informacione për hetimin dhe, më tej, arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, qëndron ndër të tjerë, edhe ish-numri dy i Bashkisë, Arbjan Mazniku.
Prej muajsh, fatet e dyshes së pandarë kanë shkuar në drejtime tërësisht të kundërta. “Shefi” Erion Veliaj është në burg, i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa “vartësi” Arbjan Mazniku, njeriu që ka pasur peshë thuajse absolute në vendimmarrjen e bashkisë së kryeqytetit, është promovuar ministër në qeverinë e Edi Ramës, drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit dhe deputet i sigurt në Parlamentin e ardhshëm.
