Një orë kaos total në Kuvend! PD bllokon karriget e ministrave, flakadanë e përplasje me Gardën – maxhoranca mbyll seancën dhe kalon rendin e ditës në votim

Data

Seanca e sotme plenare në Kuvend, e fundit për këtë vit, u mbyll pas vetëm një ore, mes kaosit, tensioneve dhe përplasjeve të forta politike. Deputetët e Partisë Demokratike bllokuan vendet e ministrave socialistë, duke paralizuar zhvillimin normal të punimeve parlamentare.

Gjatë kësaj ore, salla e Kuvendit u shndërrua në arenë përplasjesh: deputetë të PD u konfrontuan me Gardën e Republikës, u hodhën flakadanë, kartona dhe shishe uji, ndërsa pankarta kundër zv.kryeministres Belinda Balluku u shpalosën në sallë.

Opozita kërkoi me insistim praninë në Kuvend të Belinda Ballukut, e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe për të cilën SPAK ka kërkuar autorizim nga Parlamenti për arrestim. Sipas demokratëve, pa sqarimet e saj nuk mund të ketë normalitet parlamentar.

Për shkak të tensioneve të vazhdueshme, deputetët Klevis Balliu dhe Flamur Noka u përjashtuan nga seanca. Ndërkohë, në mes të kaosit, Endrit Shabani u betua si Avokat i Popullit – një proces i pazakontë që u zhvillua mes thirrjeve, zhurmës dhe bllokimit të sallës. Teksa largohej, Shabani përshëndeti deputetët e opozitës me puthje, një gjest që u komentua gjerësisht.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ironizoi situatën dhe sjelljen e opozitës, duke deklaruar se shpreson që kjo skenë të motivojë mbështetësit e PD-së që të shtohen në protestën e paralajmëruar për ditën e hënë.

“Në vlerësim të kësaj pamjeje të paralajmëruar, me shpresën se do të motivohen mbështetësit e PD për të kaluar nga 300 në 400 protestues, dhe në respekt të procedurës, duke qenë se opozita nuk lejon zhvillimin e seancës, propozoj kalimin e menjëhershëm të rendit të ditës për votim”, deklaroi Balla.

Pas këtij propozimi, maxhoranca kaloi rendin e ditës direkt në votim dhe seanca u mbyll. Situata u bë edhe më kaotike pasi sinjali i transmetimit për mediat u ndërpre, për shkak se fibra e transmetimit jashtë Kuvendit u përfshi nga zjarri.

Me përplasje brenda dhe incidente jashtë sallës, Kuvendi e mbylli vitin parlamentar mes tensioneve më të forta politike të muajve të fundit, duke lënë të hapur një përballje edhe më të ashpër në javët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related