Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas kaosit dhe tensioneve të forta të krijuara në Kuvend, foli për mediat jashtë sallës së Parlamentit, duke hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas Berishës, Balluku duhet të paraqitet urgjentisht përpara publikut për të dhënë shpjegime mbi atë që ai e cilëson si një “pazar të pisët” të bërë në prapaskenë, ndërsa kryeministri Rama ndodhet përballë një zgjedhjeje dramatike politike dhe personale.
“Pazari është bërë. Siç e kam paralajmëruar tre ditë më parë, Rama është vënë përballë zgjedhjes më të vështirë të jetës së tij: midis Lindës dhe Belindës, midis Lubisë dhe Belindës. Dhe mbrëmë ka vendosur – do të mbajë Lindën dhe do të lëshojë Belindën”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës theksoi se mungesa e Belinda Ballukut në Kuvend nuk është e rastësishme dhe sipas tij lidhet drejtpërdrejt me këtë pazar politik, që synon të shpëtojë kryeministrin nga përgjegjësia penale dhe politike.
Berisha ngriti gjithashtu akuza të forta ndaj biznesmenit Ergys Agasi, i përmendur në dosjen e AKSHI-t si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
“Beteja jonë është për ligjin, Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Motoja e tyre është ‘vidh dhe ik’. Ergys Agasi është njeriu më intim i Edi Ramës, terrorist me dy pengmarrje dhe sot jeton i qetë, madje me mbrojtje shtetërore”, tha Berisha.
Ai shtoi se Balluku po shmang Parlamentin pikërisht sepse duhet t’u tregojë shqiptarëve të vërtetën mbi marrëveshjen e fshehtë që, sipas tij, është bërë për të mbyllur skandalet e rënda të tenderëve dhe aferave korruptive.
“Lubi Balluku nuk vjen në Parlament, ndonëse ka detyrim të informojë shqiptarët për pazarin e pistë që është bërë. Rama ka zgjedhur: Lindën e mban, Belindën e dorëzon. Por parlament me njerëz që zbatojnë moton ‘vidh dhe ik’ nuk ka dhe nuk mund të ketë”, theksoi Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së nënvizoi se opozita nuk do të tërhiqet dhe se normaliteti parlamentar nuk mund të rikthehet pa vendosjen e ligjit dhe përgjegjësisë penale për të gjithë ata që, sipas tij, janë të përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.
