Reshjet e para të borës kanë nisur në qarkun e Kukësit, kryesisht në zonat malore mbi 700 metra mbi nivelin e detit. Ulja e temperaturave ka shoqëruar reshjet, duke përforcuar kushtet e dimrit në verilindje të vendit.
Bora është evidentuar edhe në afërsi të tunelit të Kalimashit, përgjatë Rrugës së Kombit, një nga akset më të rëndësishme kombëtare. Deri në këto momente, reshjet nuk kanë krijuar shtresa të konsiderueshme bore që të pengojnë qarkullimin e automjeteve, megjithatë prania e lagështirës dhe ngricave paraqet rrezik për rrëshqitje.
Autoritetet lokale bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, pasi gjatë dy ditëve të fundit Kukësi është përfshirë nga temperatura shumë të ulëta. Në zonat e thella malore, termometri ka shënuar vlera nga –3 deri në –16 gradë Celsius.
Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit herët.
