Ka nisur mbrëmjen e së shtunës procesi i numërimit të votave për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Numërimi po zhvillohet në ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë, menjëherë pas përfundimit të punimeve të Kuvendit Kombëtar, ku delegatët ushtruan të drejtën e votës për përbërjen e re të një prej strukturave më të rëndësishme drejtuese të partisë.
Votimi u zhvillua përgjatë ditës, ndërsa kandidatët ishin të ndarë në tre kategori kryesore: burra, gra dhe të rinj, me synimin për të garantuar përfaqësim më të gjerë të strukturave dhe forumeve të ndryshme të partisë.
Sipas të dhënave paraprake, gara është zhvilluar për zgjedhjen e rreth 200 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, organ që luan një rol kyç në vendimmarrjen politike dhe organizative të Partisë Demokratike.
Rezultatet pritet të publikohen pas përfundimit të procesit të numërimit dhe verifikimit të votave, ndërsa Kuvendi Kombëtar i kësaj fundjave u karakterizua nga miratimi i statutit të ri, debatet mbi ripërtëritjen e partisë dhe përcaktimi i objektivave politike për periudhën e ardhshme.
Pritet që përbërja e re e Këshillit Kombëtar të reflektojë ndryshimet statutore të miratuara gjatë Kuvendit, përfshirë rritjen e përfaqësimit të grave, të rinjve dhe diasporës në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.
