Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo është paraqitur ditën e djeshme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Tavo u paraqit në SPAK për një kallëzim që vetë ai ka bërë në vitin 2021. Prefekti i Vlorës ka qëndruar përreth një orë në Prokurorinë e Posaçme. “Isha si person që kam dijeni mbi kallëzimin që kam bërë në vitin 2021”, tha Tavo për mediat. Kujtojmë se në vitin 2021 Tavo ka bërë një kallëzim në prokurori ndaj një personi, për të cilin pretendonte se i ka përdorur emrin dhe kishte shkuar në disa shtëpi banorësh për të ofruar para në këmbim të votës. Por nuk dihet nëse paraqitja e djeshme e Tavos në SPAK ka të bëjë me çështjen e sipërpërmendur, pasi prefekti i Vlorës është një prej personave kyçë të përmendur në kallëzimin që është bërë në SPAK për Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën mbi lobimin e LSI-së. Ai është një ndër personat që njihte lobuesit grek për të bërë lobimin në SHBA për llogari të çiftit Meta-Kryemadhi. Të gjithë që shkojnë në SPAK nuk i tregojnë arsyet. Për dosjet e Metës dhe Kryemadhit Prokuroria e Posaçme po tregohet shumë hermetike. Është njësoj si rasti i analistit Baton Haxhiu. Ai u thirr pak javë më parë në SPAK për t’u marrë në pyetje për një vilë që ai ia ka blerë ish-presidentit dhe aktualisht presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Por Baton Haxhiu kur doli nga SPAK tha se kishte shkuar si gazetar për të intervistuar një prokuror. Me thirrjen e Tavos, tregohet se Prokuroria e Posaçme po e kopsit dosjen e lobimeve.
Dosja e lobimit në SHBA
Në materialin e referuar në SPAK po hetohet Ilir Meta, bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ish deputeti Vangjel Tavo dhe Iraklis T. Fidetzis, administrator i kompanisë Dorelita Limited me seli në Qipro, përfshirë në skemën e lobimit në vitin 2017, për llogari të Metës dhe LSI, me para të padeklaruara. Si fakt në dosjen e Metës referohet një kontratë e kompanisë McKeon Group me LSI-në dhe Ilir Metën, e datës 6 janar të vitit 2017, kohë gjatë të cilës Meta ishte ende kryetar i LSI-së. Kontrata kishte si objekt lobimin në SHBA për pjesëmarrjen e Metës në inaugurimin e Presidentit Trump në vitin 2017, planifikimin e takimeve të Metës me liderë në Uashington përgjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira dhe speciale me administratën e ardhshme dhe Kongresin. Kontrata ka një kohëzgjatje 6 mujore dhe vlera totale që parashikon është 90 mijë USD. Personi i autorizuar për të lidhur kontratën dhe për të përfaqësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Ilir Metën me shoqërinë McKeon Group është Iraklis T. Fidetzis, një personazh i dyshimtë që del në pah në disa kontrata të tjera lobuese, me vlerë qindra mijëra USD, gjithashtu të padeklaruara në Shqipëri. Kontrata nuk qartëson mënyrën e transferimit të parave, por nuk ka asnjë dyshime se paratë janë shpenzuar, por që nuk janë deklaruar nga LSI-ja në shpenzimet vjetore në KQZ dhe as Meta në deklaratën e pasurisë të vitit 2017. Është pikërisht ky fakt, pra fshehja e shpenzimeve me para që nuk u dihet burimi, që rrezikon Ilir Metën jo vetëm të merret i pandehur, por edhe që mund të arrestohet. Deri më tani, Ilir Meta as nuk ka denjuar për të sajuar një alibi se pse nuk i ka deklaruar paratë e shpenzuara për lobim as në KQZ dhe as në ILDKPKI, siç e parashikon ligji sipas rastit!
Meta del zbuluar
Kompanitë amerikane të lobimit kanë për detyrë të deklarojnë kontratat dhe të ardhurat që përftojnë nga lobimet që ato bëjnë në Website-in e (FARA). FARA është homologu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri. Detyrimi i kompanive lobuese është vetëm të deklarojnë të ardhurat që i vijnë, por logjikisht jo sesi janë përftuar këto të ardhura nga kontraktuesi. Kompania McKeon Group i ka deklaruar kontratat me LSI-në dhe Ilir Metën në FARA dhe në Departamentin e Drejtësisë Uashington. Ky fakt vërteton edhe një herë shpenzimin e bërë nga Ilir Meta, të cilin e ka fshehur në Shqipëri.
Roli i Vangjel Tavos dhe si “e shiti” Meta
Personi që ka lidhur Ilir Metën me administratorin e kompanisë offshore Dorelita Limited, Iraklis T. Fidetzis është Vangjel Tavo, ish deputet i LSI-së. Roli i Tavos është konfirmuar nga vetë LSI-ja gjatë një reagimi për gazetën amerikane Mother Jones, e cila në 25 Prill 2018 publikoi një artikull për lobimet e LSI-së në SHBA. “LSI mohon çdo lidhje me Dorelitën. Një zëdhënës i partisë tha se kishte “zero kontakte me kompaninë dhe zero njohuri për” kompaninë. Zëdhënësi vuri në dukje se një anëtar i shquar i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur partinë me Fidetzis dhe se më vonë Tavo miratoi pagesën prej 15,000 dollarësh nga LSI për McKeon Group…”, thuhet në artikull. Pra Meta i “lau duart” me Tavon duke thënë se Mother Jones për një gjë të tillë duhet të pyesë veten Tavon nëse ka qenë për vizitë private në atë periudhë.
Meta mund të bëjë kurban Kryemadhin dhe Vasilin
Gjithashtu Meta mund të bëjë “kurban” Kryemadhin për dosjen e lobimit në SHBA. Firmat i ka hedhur Kryemadhi dhe Vasili, madje në skenë del dhe Luan Rama, një nga funksionarët e fuqishëm të LSI, tashmë i larguar nga kjo parti. Ai është thirrur në SPAK dhe është pyetur nga prokurorët specialë për katër orë. Emri i tij doli në letër-porosinë për formularët e Monika Kryemadhit që sollën amerikanët. Aty thuhej se Luan Rama kishte firmosur në një kontratë që mbante shumën 600 mijë dollarë. Ai e mohoi këtë gjë pasi në dokumentin ku ka hedhur firmë flitej për një shifër prej 60 mijë dollarësh. Pra dyshohet se formularët janë falsifikuar nga kupola e LSI. Rasti i Luan Ramës tregon se ai nuk mund të ketë qenë në dijeni për këtë skemë që i ka ngritur vetë partia e tij duke i shtuar një zero shifrës që ai ka firmosur. Në situatën që po shohim me shpërthimet në publik, edhe Meta nuk është dakord që ta pësojë nga gabimet e Kryemadhit. Zërat i shtoi edhe më shumë vetë Monika Kryemadhi, se mes saj dhe Ilir Metës situata nuk është e mirë pasi SPAK nisi hetimet. “Në fakt më vjen shumë keq si grua që ndonjëherë ne gratë bëhemi mish për top për burrat. Por karma is a bitch Olta dhe ç’të mbjellim do të korrim”, tha Monika Kryemadhi disa javë më parë.
