Një i ri pjesëmarrës në ditën e 47-të të protestës qytetare kundër qeverisë u shfaq me një orë simbolike në duar, ku ishte shkruar mesazhi: “Edhe sa kohë na duhet të presim?”.
Sipas tij, ora simbolizon pritjen e gjatë për realizimin e premtimeve të bëra ndër vite nga qeveria në fusha të ndryshme, si furnizimi me ujë, shërbimet shëndetësore, infrastruktura dhe integrimi në Bashkimin Europian.
“Ky është një mesazh shumë i thjeshtë për të gjitha gjërat që ka premtuar Edi Rama. Dhe pyetja është shumë e qartë: edhe sa kohë duhet të presim për ujë 24 orë? Edhe sa kohë duhet të presim për një shëndetësi të denjë? Edhe sa kohë duhet të presim për drita 24 orë? Edhe sa kohë duhet të presim për një infrastrukturë bazike? Sa kohë duhet të presim që të anëtarësohemi në BE?”, u shpreh ai.
I riu tha se këto kanë qenë premtime të përsëritura në fushata zgjedhore dhe se, sipas tij, qytetarët duhet t’i mbajnë mend përpara se të votojnë.
“Këto janë të gjitha premtime fushate dhe dua që qytetarët t’i mbajnë mend. Para se të votojnë, gjithmonë bëhen premtime: ‘Do bëjmë ujin 24 orë, dritat 24 orë, do anëtarësohemi në BE, do bëjmë trenin, do bëjmë shumë gjëra’, por asnjëra nga ato nuk është bërë. Pyetja ime është shumë e thjeshtë: edhe sa kohë duhet të presim që ne të kemi një jetë të denjë në Shqipëri?”, deklaroi ai.
Protestuesi shtoi se ka marrë pjesë në protestat qytetare që prej tubimeve të zhvilluara në Zvërnec dhe se nuk ndihet i lodhur.
“Unë kam qenë që në protestat në Zvërnec, nuk jam i lodhur aspak. Lodhja është e panegociueshme në momentin që nevojat bazike janë në rrezik”, u shpreh ai.
