Presidenti i Partisë së Lirisë, ILIR META, ka komentuar nga qelia zhvillimet rreth hetimit ndaj zëvendëskryeministres BELINDA BALLUKU, duke akuzuar kryeministrin EDI RAMA dhe mazhorancën se po pengojnë drejtësinë dhe po zvarrisin qëllimisht procesin hetimor.
Në një intervistë, META u shpreh se kërkesat e SPAK në këtë rast kanë qenë të balancuara dhe të arsyeshme, ndërsa theksoi se situata duhej zgjidhur që në fillim në mënyrë politike, përmes dorëheqjes ose shkarkimit të BALLUKUT.
Sipas tij, reagimi i RAMËS ndaj kërkesës për heqjen e imunitetit është tregues i qartë se kreu i qeverisë nuk po mbron zëvendëskryeministren, por po përpiqet të mbrojë veten nga hetimet që mund ta implikojnë drejtpërdrejt. META e cilësoi këtë sjellje si “pengmarrje të drejtësisë”.
META deklaroi se SPAK ka treguar proporcionalitet në veprimet e tij dhe se zvarritja e procesit i shërben vetëm prishjes së provave dhe bllokimit të hetimeve. Ai bëri thirrje për reagim qytetar dhe pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 22 dhjetor.
Në këtë kontekst, META veçoi rëndësinë e hetimeve për AKSHI-n, ku për herë të parë, sipas tij, po përdoret kualifikimi i “grupit të strukturuar kriminal”, një hap që e konsideroi të vonuar, por të domosdoshëm. Ai përmendi gjithashtu denoncimet e ish-zëvendëskryeministrit ARBEN AHMETAJ, duke thënë se shumë prej tyre janë konfirmuar me kalimin e kohës.
Sipas METËS, manipulimi i tenderave publikë dhe përmasat e abuzimeve me fondet shtetërore nuk mund të ishin realizuar pa dijeninë dhe miratimin e kryeministrit. Ai theksoi se hetimet duhet të shkojnë deri në fund dhe të prekin çdo nivel përgjegjësie.
Duke iu referuar mazhorancës parlamentare, META u shpreh se 83 mandatet nuk mund të përdoren si mburojë politike kundër drejtësisë dhe se opozita, sipas tij, do të zhvillojë një betejë të fortë të mbështetur edhe nga qytetarët.
Në përfundim, META deklaroi se çdo ditë që EDI RAMA qëndron në pushtet, Shqipëria humbet kohë, burime dhe shpresë, ndërsa korrupsioni dhe varfëria thellohen. Ai kërkoi bashkim shoqëror për të çuar vendin drejt një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira.
