Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka reaguar ashpër ndaj situatës ekonomike në vend, duke akuzuar qeverinë për mungesë veprimi përballë rritjes së çmimeve dhe vështirësive që po përjetojnë qytetarët dhe bizneset.
Në një reagim publik, Teliti thekson se ndryshe nga vendet e tjera ku qeveritë ndërhyjnë për të menaxhuar krizat, në Shqipëri, sipas tij, “krizat janë ato që qeverisin vendin”.
Ai rendit një sërë problematikash që, sipas tij, po rëndojnë ekonominë, përfshirë:
- rritjen e çmimeve të ushqimeve,
- shtrenjtimin e qirave,
- kostot në rritje për bizneset,
- si dhe vështirësitë në sektorin e transportit.
Sipas Telitit, këtyre sfidave u shtohen edhe shqetësimet për abuzim me fondet publike, ndërsa institucionet shtetërore, sipas tij, kufizohen vetëm në monitorim pa ndërmarrë masa konkrete.
“Bizneset vuajnë dhe qytetarët përballen çdo ditë me kosto më të larta jetese, ndërkohë që mungon reagimi efektiv nga qeveria,” nënvizon ai.
Në përfundim, Teliti kritikon atë që e cilëson si mungesë përgjegjshmërie institucionale, duke paralajmëruar se situata aktuale po ushtron presion të shtuar mbi ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
