Pas gjashtë ditësh ndërprerje dhe heshtjeje të detyruar, News24 është rikthyer në transmetim sot me emisionin “Koha për t’u zgjuar”. Rikthimi u bë nga një ambient përkohës – jo nga redaksia e zakonshme – por me vendosmëri të plotë për të qenë zëri që publiku meriton.
Gazetari Klevin Muka priti telefonatat e qytetarëve të shqetësuar dhe optimistë, të cilët mesazhin e kishin të qartë:
“Ju falënderojmë që e fituat këtë betejë… Ju falënderojmë që na hapët sytë dhe veshët… U bllokuam për 10 ditë, tani po flasim me zë. Ju falënderojmë për këmbënguljen.”
Ky moment simbolik përkon me një valë mbështetjeje publike dhe ndërkombëtare për lirinë e medias, që nxorri në dritë një mesazh të fortë: liria e shprehjes nuk shuhet përmes bllokimeve.
News24 rikthehet më i fortë, më i vendosur dhe më i ndërgjegjshëm për misionin e tij ndër vite — për të qëndruar zëri i besueshëm në Shqipëri.
