Çështja e dërguar në Gjykatën Antikorrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, tashmë në cilësinë e të pandehurës, ka hapur akuza të reja për një skemë të gjerë korrupsioni dhe pastrimi parash që, sipas opozitës, shtrihet deri në majat e qeverisë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, deklaroi se rasti nuk duhet parë si i izoluar, por si pjesë e veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal, ku përfshihen zyrtarë të lartë dhe sipas tij edhe vetë kryeministri Edi Rama. Ai e cilësoi “unikale” faktin që një zëvendëskryeministre e marrë e pandehur nuk ka dhënë dorëheqjen, duke e konsideruar këtë një shkelje të rëndë morale dhe politike.
Himçi theksoi se SPAK nuk duhet të ndalet vetëm te akuzat aktuale, por të hetojë edhe veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, në kuadër të një grupi të organizuar. Sipas tij, përfshirja e drejtorëve kryesorë në varësi të Ballukut dhe mbrojtja e vazhdueshme publike që kryeministri i bën asaj, tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes tyre.
Në qendër të akuzave u përmendën edhe tenderët e Unazës së Madhe, të cilët, sipas Himçit, janë ndarë në lote për të favorizuar kompani të afërta me qeverinë. Ai i cilësoi punimet si të dobëta dhe të rrezikshme për qytetarët, duke shtuar se shumë nga kompanitë fituese janë krijuar pas ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale, pa eksperiencë reale, me qëllim pastrimin e parave.
Deputeti i PD ngriti gjithashtu dyshimin se Balluku mund të jetë në pozita shantazhi ndaj kryeministrit, duke paralajmëruar se “nëse ajo bie, mund të tërheqë pas edhe Ramën”. Sipas tij, takimi i gjatë mes kryeministrit dhe zëvendëskryeministres menjëherë pas marrjes së saj si e pandehur, përforcon këto dyshime.
Në këtë kontekst, Himçi i bëri thirrje SPAK që të thellojë hetimet dhe të mos kufizohet vetëm te zyrtarë të veçantë, por të hetojë edhe përgjegjësinë e kryeministrit si drejtues i dyshuar i kësaj skeme.
