Nepal po përballet me krizën më të rëndë sociale dhe politike në dekada, kur protestat e udhëhequra nga gjenerata e re (Gen Z) shpërthyen si rezultat i ndalimit të papritur të 26 platformave të njohura sociale — Facebook, X, YouTube dhe të tjera — që u cilësua nga shumë qytetarë si një akt censurimi të pakundërshtueshëm. Ky vendim u pa si shenjë e një sistemi politik të lidhur me korrupsion dhe nepotizëm në nivele të larta.
Të rinjtë reaguan me masivitet. Të paktën 19 protestues u vranë kur policia përdori forcë, duke përdorur gaz lotsjellës, ujë, plumba gome dhe – në disa raste – plumba të vërtetë për të shpërndarë turma që tentuan të thyejnë mbrojtjen e selive qeveritare. Protestat shndërrohen në revoltë shkatërruese: Singha Durbar, selia qendrore e qeverisë; Parlamenti dhe ndërtesa të tjera më të rëndësishme, përfshirë rezidencat e kryeministrit dhe presidentit, u vunë zjarr, ndërsa qyteti u shndërrua në një tablo kaosi.
Tensioni arriti kulmin kur Kryeministri KP Sharma Oli dha dorëheqjen më 9 shtator, si një pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës dhe pakënaqësisë që përparonte në fund të rrugës politike. Ishte një fitore simbolike, por jo përfundimtare — protestat vazhduan edhe pas dorëheqjes së tij, me pjesëmarrje të gjerë dhe kërkesa për reforma të thella, jo thjesht ndryshim drejtuesish.
Ndërkohë, sitauta u agravua edhe më tej kur aeroporti i Katmandu-it u mbyll, disa fluturime u ridirektuan drejt qyteteve të Indisë, ndërsa ushtria ndërhyri për të ruajtur infrastrukturën, duke krijuar një panoramë të tensionuar dhe të paparashikueshme.
