Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi i rëndë që tronditi Podgoricë, ku tre të rinj humbën jetën pas një konflikti të dhunshëm brenda një apartamenti me qira në lagjen Stari Aerodrom.
Autor i dyshuar është 25-vjeçari Vehid Murić, i cili akuzohet për vrasjen e vëllezërve Denis Hot (28 vjeç) dhe Nezrin Hot (35 vjeç), si dhe të mikut të tyre Kenan Miraljemović. Të katër të rinjtë jetonin së bashku dhe punonin si bojaxhinj.
Sipas autoriteteve, ngjarja u parapri nga një mosmarrëveshje personale mes tyre, e cila dyshohet të ketë lidhje edhe me një borxh. Konflikti degradoi në dhunë, ku autori përdori një armë të ftohtë, duke shkaktuar vdekjen e tre personave.
Pas krimit, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe shkoi drejt Rozhaje, vendlindja e tij. Sipas mediave lokale, ai është paraqitur në shtëpinë e familjes dhe i ka rrëfyer nënës krimin me fjalë tronditëse: “Nënë, duart më janë lyer me gjak, vrava tre persona… më vjen keq”. Pas këtij rrëfimi, familjarët kanë njoftuar menjëherë policinë.
Autoritetet njoftuan se rreth orës 20:00 të mbrëmjes së kaluar, 25-vjeçari u arrestua në qendër të qytetit. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
