Edhe pse është marrë e pandehur nga SPAK për dy çështje tenderash dhe ndodhet nën hetim për gjithsej 11 procedura prokurimi, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, po ndërhyn drejtpërdrejt në institucionin që ka për detyrë të kontrollojë ligjshmërinë e tenderave publikë.
Bëhet fjalë për një tentativë emërimi në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), institucion kyç në filtrimin dhe shqyrtimin e ankesave për procedurat e prokurimit. Emri që po qarkullon për postin e kreut të KPP-së është ai i Irma Drobonikut, ish-Sekretare e Përgjithshme e këtij institucioni, në periudhën kur KPP drejtohej nga Jonaid Myzyri.
Myzyri aktualisht është i pezulluar nga detyra dhe i marrë pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, çka e bën këtë emërim edhe më problematik nga pikëpamja e integritetit institucional.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se Droboniku ka lidhje të ngushta personale dhe profesionale me Viola Haxhiademin, ish-Sekretare e Përgjithshme dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ballukut deri pak ditë më parë. Dokumente zyrtare tregojnë se Droboniku, Haxhiademi dhe Balluku kanë një njohje mbi 20-vjeçare dhe kanë punuar së bashku në institucione të rëndësishme si Bashkia e Tiranës dhe Albcontrol.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje serioze për konflikt interesi dhe përpjekje për të ushtruar ndikim mbi një institucion që duhet të jetë i pavarur, veçanërisht në një moment kur vetë ministrja ndodhet nën hetim penal për tendera publikë.
