Në celularin e Kryemadhit del edhe emri i Sali Berishës, zbardhen mesazhet me biznesmenin në SHBA, deputetja nuk…

Data

Për çudinë ndoshta të askujt, dosja voluminoze e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nxori në pah se si çifti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur pushtetin për vite me radhë për të ndërhyrë në lidhjen e kontratave shtetërore dhe në këmbim përfitimin e shumave të mëdha monetare. Në mesin e shpenzimeve marramendëse, nuk mungojnë as ato për shkollimin e fëmijëve, sigurisht jashtë Shqipërisë. Megjithatë, detaje të reja duket se shtohen çdo ditë, në një dosje, që përfshin shumë më tepër se çiftin e njohur të politikës shqiptar. Në dosje dalin edhe emra të biznesmenëve të njohur, familjarë apo edhe figura të tjera të politikës. Emri i fundit, i lakuar, i përfshirë në këtë “mesele” është ai i liderit të opozitës, Sali Berisha.

Pika që bashkon çiftin me ish-kryeministrin është biznesmeni Adrian Shatku, i cili ka në pronësi Communication INC dhe UNIFI Holdings INC, kompani që u përdor nga Meta dhe Kryemadhi për të marrë leje për disa projekte në Shqipëri me përfitime mbi 2 milionë lekë të reja. Kompania duket se ka pasur lidhje edhe me familjen dhe pushtetin e Sali Berishës, madje që nga viti 2010. Disa biseda të zbuluara së fundmi midis Kryemadhit dhe biznesmenit, të datës 16 maj 2014, tregojnë qartazi bisedat për universitetin e vajzës së deputetes, Borës dhe përpjekjen për të siguruar bursën për të. Një detaj tjetër interesant është “shpërfillja” e Kryemadhit ndaj ish-kryeministrit, duke injoruar akuzat e tij për korrupsion.

Emri i Berishës në dosje

Në datën 7 Maj 2014, Monika Kryemadhi i ka përcjellë Adrian Shatkut, email-in e plotë që i është dërguar nga adresa [email protected], në datën 6 Maj 2014, me subjekt “Ftese pjesëmarrje ne aktivitetin “Gruaja ne Shkence, Inovacion dhe Teknologji ne epokën digjitale”. Adriani i ka shkruajtur Monikës, në anglisht “Cool, you need a small talking points or presentation?” dhe Monika i është përgjigjur “Po që të jetë interesante se do dali në media dhe në gazeta. Edhe ndonjë prezantim të vogël mirë do ishte”.

Në datën 16 Maj 2014, Adrian Shatku komunikon me mesazh me Monika Kryemadhin ku i shkruan se javën tjetër do të shkojë në Shqipëri për të mbyllur çështjet e hapura. Monika bie dakord dhe e porosit që të interesohet për universitetin e vajzës Bora. Nga java tjetër është mirë të jem andej. Të mundohemi të mbyllim çfarë Është hapur? Berisha përdor ofensivën si diferencë. Mos i shkoni në agjendën e tij. e di mire ti”, shkruan biznesmeni, referuar ish-kryeministrit. Megjithatë, deputetja duket se nuk shqetësohet aspak për këtë të fundit. “Po shumë mirë hajde. Për Berishën varja. Mendo edhe ca universitete për Borën”, përgjigjet ajo.

Lidhja Shatku-Berisha

Unifi, që kishte hapur një degë në Shqipëri pasi shoqëria mëmë ishte e regjistruar në SHBA, ku Adrian Shatku, një shqiptar nga Peshkopia, kishte ngritur biznesin e tij të fuqishëm në Nju Jork, kanë krijuar lidhje me Argita Berishën që në vitin 2010. Studioja e vajzës së Kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, kishte marrë nga Unifi Communications Inc një këst të parë prej 7.656 euro, të mjaftueshme vetëm për të nisur një studim për mundësinë e investimeve. Ashtu siç ndodhte me të njëjtën skemë që klientët e vajzës privilegjoheshin, Berisha më 21 tetor 2010 firmoste vendimin e këshillit të ministrave me numër 840 me të cilën lejon ‘’Shoqërinë UNIFI Holdings Inc. – dega Shqipëri, për të kryer studimin përkatës dhe për shtrirjen e kabllos nëndetare ndërkombëtare me fibër optike Bari (Itali) – Gjiri i Lalzit (Shqipëri)’’.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related