Kryeministri Edi Rama ka komentuar qëndrimin e tij në Samitin BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel, duke deklaruar se ka folur hapur, drejtpërdrejt dhe pa diplomaci të zbukuruar, duke kërkuar që Bashkimi Europian t’i qëndrojë marrëveshjes për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.
Në deklaratat e tij, Rama nuk kurseu ironinë ndaj burokracisë europiane, duke pranuar se në Bruksel “ndonjëherë marrëveshjeve u luhet”.
“E dini si janë këta, ndonjëherë i ‘luajnë’ marrëveshjeve. Prandaj e thashë qartë: fjalët duhen mbajtur”, u shpreh Kryeministri.
“Fola drejt e në sy, kështu rritet vlera e Shqipërisë”
Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një pozicion që nuk e ka pasur kurrë më parë në raport me Bashkimin Europian, duke e cilësuar vendin të respektuar dhe të mirëpritur maksimalisht në Bruksel, që ai e quajti “tempulli i Europës politike”.
“Pa modesti, ju kam nderuar. Fjalën tonë e themi drejt dhe në sy, dhe pikërisht kjo na ka rritur vlerën në këto tryeza”, deklaroi Rama.
Sipas tij, qëndrimi i hapur dhe pa “dorashka” ka krijuar respekt dhe besueshmëri për Shqipërinë, ndryshe nga praktikat e diplomacisë së butë që, sipas Ramës, shpesh nuk japin rezultat.
Negociatat dhe afati 2027: “Kjo është marrëveshja”
Kreu i qeverisë konfirmoi se në Samit ka ripërsëritur kërkesën që BE të respektojë angazhimin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027, duke e cilësuar këtë afat jetik për procesin e integrimit.
“Hapja e gjithë kapitujve është një inkurajim për ne, por marrëveshjet duhen mbajtur. Shqipëria po bën detyrat e shtëpisë në mënyrë korrekte, sepse e dimë që vetëm kështu bëhemi pjesë e BE-së”, tha Rama.
Reformat dhe kushtet e BE-së
Rama pranoi se procesi nuk është i lehtë dhe se Shqipëria do të vijojë reformat, veçanërisht në fushat që BE i konsideron kyçe, si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Do të vazhdojmë përpjekjet dhe reformat, sepse këto janë sfidat që BE-ja i përmbledh në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, shtoi Kryeministri.
Deklaratat e Ramës pas Samitit vijnë në një moment vendimtar për procesin e integrimit, ku Shqipëria kërkon jo vetëm hapjen e kapitujve, por garanci politike që rruga drejt BE-së të mos mbetet peng i lojërave burokratike.
