Eksperti i ekonomisë Elvin Meka, për paralajmërimin se rrjeti social TikTok do të mbyllet për një vit thotë se nuk është kjo zgjidhja përfundimtare, por se ndikon në ekonomi dhe tek bizneset.
I ftuar në një emision televiziv, ai deklaroi se në pesë vitet e fundit sidomos mbas pandemisë u vu re më qartë që ka biznese që e kanë aktivitetin e tyre 100% në rrjetet sociale dhe nuk bëhet fjalë për biznese të vogla apo të mesme, pasi është një mënyrë e lirë pa shpenzime.
Sipas tij, të gjitha bizneset përdorin një rrjet social për tu ofruar në treg dhe nga viti në vit pjesa e marketimit dixhital po merr rol gjithnjë e më të madh.
Meka shtoi se ka ndryshuar tërësisht raporti mes qasjes së marketingut me mediat e zakonshme, ku është në favor më shumë kryerja e marketingut të drejtpërdrejtë me rrjetet sociale, pasi shpenzohen shumë pak para në raport me fitimin që merr, dhe është forma më efikase.
“Të gjitha bizneset përdorin të paktën një platformë. Bizneset që kanë një model të caktuar biznesi, orientohen me një rrjet social dhe pjesa e TikTok ka një natyrë tjetër që edhe target grupit që i ofrohet ky informacion, është i ndryshëm nga pjesa tjetër e bizneseve.
Modeli i biznesit që aplikohet është kryesisht në bizneset e vogla familjare dhe është parajsa e bizneseve të palicencuara që shesin nga shtëpia, bodrumi, parkimi.
Mund të jenë dhe biznese të rregullta që nuk kanë magazina, por janë biznese që nuk figurojnë askund. Nuk e gjen kush është personi mbas.
Është vendi ideal i atyre që me shpenzime fare të vogla ose thuajse afër zeros, të mund të menaxhojnë një biznes.
Përtej atyre që kanë Nipt, mund të jenë 5 apo 7%, pjesa tjetër janë zero. Ata janë pa njerëz, pa punonjës.
Përtej pjesës së dëmit që i bëhet buxhetit të shtetit, mbrojtja e konsumatorit është zero dhe nuk kanë ku ankohen.
Se ka plot ankesa çdo ditë, për sa kohë që nuk është e rregulluar dhe është jashtë radarit të rregullimit dhe mbikëqyrjes, këto do vazhdojnë në informalitet.
Vendimi që është marrë nga ana e qeverisë nuk është lodhur shumë me këtë lloj argumenti.
