Kryeministrja italiane Giorgia Meloni doli në krah të kryeministrit Edi Rama pas debatit në Itali dhe në Shqipëri nxitur nga emisioni “Report’ transmetuar më 21 prill 2024 në RAI 3 i cili trajtonte marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë duke e portretizuar Shqipërinë si “narko-shtet”. “Rama u linçua sepse ndihmoi kombin tonë” tha ajo sot gjatë konventës së Forza Italia në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet europiane të 8 dhe 9 qershorit. Kemi firmosur një marrëveshje me Edi Ramën, kryeministrin socialist të Shqipërisë për të hapur 2 qendra që do të lehtësojnë fluksin e emigrantëve që duan të vijnë në Europë. Hapu qiell! Pasi bënë gjithçka për bojkotuar marrëveshjen e Tunizisë dhe Egjiptit, e majta arriti derisa të propozojë shkarkimin e Ramës nga Partia Socialiste Evropiane sepse guxoi të ndihmojë, të ishte në dispozicion të qeverisë së qendrës së djathtë për të ndihmuar Italinë. Në vend që ta falenderonin në emër të solidaritetit europian e linçuan. Telemeloni (flet me ironi për Rai 3) realizoi një emision mbi qendrat e emigrantëve ku e përkufizonte Shqipërinë si ‘narkoshtet’. Më ndihmoni që ti dërgoj Edi Ramës dhe popullit shqiptar solidaritetin tonë sepse u lincuan vetëm se ndihmuan kombin tonë”, u tha ajo të pranishmëve të cilët fjalën e saj e duartrokitën në konventën që u mbajt këtë fundjavë në Pescara. Me termin “Telemoni, apo jo, Telemeloni? kryeministrja italiane me ironi hodhi poshtë akuzën opozitës por dhe të vetë gazetarëve të RAI-t se ka ndërhyrë në punën e tyre gazetareske.
Mesazhi i Melonit
Duke iu drejtuar kundërshtares politike, sekretares së Partisë Demokratike të qendrës së majtë të opozitës italiane, Elly Schlein tha: Na thonë, në Itali e në Evropë, ku duan të jenë: Të na thonë nëse duan të jenë me ne në anën e ligjshmërisë dhe në anën e atyre që luftojnë skllavëruesit, apo nëse duan të jenë në krah të emigracionit masiv të paligjshëm që pasuron rrjetet kriminale. Ia kërkoj këtë në veçanti sekretares së Partisë Demokratike, Elly Schlein, duhet të jetë e qartë për këtë. Në thelb mbetet vetëm të çmontojmë çdo zgjidhje strukturore që ne përpiqemi ta zbatojmë për këtë çështje. E bënë parlamentarët e tyre në Europë me marrëveshjen me Tunizinë dhe Egjiptin, E bënë gazetarët e tyre në Shqipëri kundër qendrave që po hapim. E bëjnë disa gjyqtarë militantë në Itali kundër normave për të riatdhesuar më shpejt atë që nuk ka të drejtë të qëndrojë në Itali apo Europë”, nënvizoi më tej Meloni.
Ndizet politika italiane
Pas këtij reagimi, dje pati komente të shumta në Itali nga media dhe opozita në mbështetje të emisionit “Report” të drejtuar nga gazetari Sigfrido Ranucci. “Përveçse mbrojtje e informacionit, shërbimit publik, gazetarisë investigative! Nga fjalët që kryeministrja Giorgia Meloni i kushtoi sot nga Pescara programit të thelluar gazetaresk të RAI-t, duket qartë se kjo duhet të ndalet. Pas dekretit bullgar tani jemi te ai shqiptar”, shkruan në një deklaratë të saj USIGRAI, sindikata e gazetarëve të RAI-it. “Për Giorgia Melonin, hedhja dritë mbi mënyrat se si u zyrtarizua marrëveshja me kryeministrin Edi Rama për qendrat e emigrantëve që do të ndërtohen në Shqipëri është si një “linçim” i popullit shqiptar. Një investigim gazetaresk, i cili synon të sqarojë se si po shpenzohen paratë e taksapaguesve, nuk na duket se shkakton ndonjë ofendim ndaj popullit shqiptar, ndaj të cilit ne shprehim solidaritetin tonë se është kërkuar në mënyrë të papërshtatshme nga Kryeministrja, për arsye elektorale. Ne prisnim që do të dilte një fjalë nga qeveria në mbrojtje të gazetarisë së shërbimit publik “Made in Italy”, por është e qartë se kemi gabuar”, thuhet në deklaratë. Jo vetëm mediat, por edhe politika italiane e ka konsideruar të papranueshëm sulmin që kryeministrja Giorgia Meloni bëri për RAI duke mbrojtur kreun e qeverisë shqiptare. Në një reagim anëtarët e Partisë Demokratike të Komisionit Mbikëqyrës dydhomësh të RAI-t thane se kjo ishte padrejtësi. “Solidaritet me të gjithë redaksinë e Report-it të akuzuar padrejtësisht nga kryeministrja për linçim. Për Melonin, çdo thashethem jashtë propagandës së Palazzo Chigi është një sulm ndaj lidershipit të tij. Në vend që t’u shpjegojë italianëve humbjen e madhe të fondeve për marrëveshjen Itali-Shqipëri sulmon transmetuesin publik”, thuhej në një deklaratë të anëtarëve të PD-së
