Në mes të këtij muaji, askush nuk mund të përdorë më TikTok në Shqipëri. Me vendim të qeverisë, kjo platformë do të mbyllet përmes Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe ky kufizim do të vlejë për të paktën 12 muaj. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu që prezantoi vendimin tha brenda pak ditësh Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën kineze. “Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e përkohshme të platformës online TikTok. Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve.
Në të gjitha këto takime, prindërit kanë qenë pro mbylljes ose kufizimit të platformës TikTok. Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto paltforma, kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve apo me raste të dhunës fizike. Grupi i punës ka patur në përbërje të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë faktet dhe elementet që kanë patur rëndësi maksimale, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit në Tik Tok, për një përiudhë 12 mujore që do na lejojë marrjen e masave në bashkërëndim me përfaqësuesit e platformës TikTok. Kemi nisur një komunikim me TikTok që ka të bëjë me marrjen e masave të mëtejshme, duke vendosur këto filtra ndalojmë promovimin e sjelljeve të padëshirueshme. Është mbyllje e përkohshme e aksesit në Tik Tok, i kemi dhënë vetes deri në 12 muaj kohë, që të marrim të gjitha masat e nevojshme”, tha Manastirliu.
