Policia e Durrësit ka dhënë detaje zyrtare lidhur me zjarrin e rënë një ditë më parë në parkun e autobusëve, ku u dogjën plot 8 autobusë që ndodheshin jashtë funksionit.
Sipas njoftimit të uniformave blu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë referuar materialet në Prokurori, duke e klasifikuar ngjarjen si aksidentale.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve, e cila më pas ka përfshirë edhe mjetet e tjera të parkuara pranë.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të incidentit.
