Ilir Meta akuzon Kryemadhin për pazare dhe nis “gjuetinë” për të gjetur tradhtarët brenda partisë që e shitën në…

Data

Në një zhvillim të tensionuar brenda politikës shqiptare, ish-presidenti Ilir Meta ka akuzuar sërish bashkëshorten e tij dhe ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, për përfshirje në pazare. Këto akuza vijnë në një moment, kur Meta ka nisur një fushatë të ashpër për të identifikuar dhe ndëshkuar ata që e kanë tradhtuar brenda Partisë së Lirisë dhe kanë ndihmuar në transferimin e informacionit të ndjeshëm në SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion)

Ilir Meta ka ndarë dje në rrjetet sociale një mesazh në 20-vjetorin e themelimit të LSI-së, tashmë e quajtur Partia e Lirisë. Meta ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e partisë, ndërsa ka përkujtuar disa nga figurat që kanë dhënë kontribut në Partinë e Lirisë, por sot nuk janë më. Meta gjithashtu ka shprehur pasiguri dhe shqetësim të thellë për aleancën e tij me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia e tyre është më e ndërlikuar se sa pritej. Akuzat dhe tensionet e brendshme në LSI dhe mes partnerëve politikë janë bërë më të dukshme, duke ngritur pyetje të mëdha për stabilitetin dhe drejtimin e ardhshëm të partisë dhe aleancave të saj politike.

Meta sulmon Kryemadhin

Konkretisht presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka hedhur dje sërish akuza në drejtim të Kryemadhit për djegien e mandateve në vitin 2019, duke thënë se e ka mashtruar. Pa e përmendur me emër, Meta tha sërish se atij i është komunikuar se mandatin mund ta digjte vetëm Monika Kryemadhi për t’u solidarizuar me Lulushin (Lulzim Basha), siç ai e quajti. As një mesazh tha Meta se nuk ka marrë, pasi atë kohë President ndodhej jashtë shtetit. Sipas tij, ky vendim katastrofal ka ardhur si pasojë e nepotizmit në parti dhe se të gjithë kanë menduar se “gruaja s’mund ta marrë ketë vendim pa dijeninë e burrit”.

“Një mesazh në 20-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që hapi një faqe të re në jetën politike të vendit dhe që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në shpejtimin e proceseve integruese të vendit, deri në momentin katastrofik të shitjes të mandateve që solli kapjen mafioze të shtetit. Ekziston vetëm një e vërtetë, Meta ka qenë kategorik kundër ndjekjes së mandateve. Është mashtruar kur i është thënë që në rastin më ekstrem mund ta digjte vetëm ish-kryetarja për solidaritet me Lulushin, pro ja që kjo gjë ka ndodhur, ata që kom me presidentin jashtë shtetit aso kohe nuk ua tha qëndrimin e presidentit.

Asnjë nga ata nuk i çuan mesazh presidentit për këtë vendim katastrofal që morën dhe kjo ndodhi për shkak të nepotizmit, secili mendoi që derisa po merret ky vendim, si mund ta bëjë gruaja pa dijeninë e burrit”, deklaroi ai. Meta e kujtoi edhe njëherë në konferencën për mediat ndarjen politike me Kryemadhit, siç ai e cilëson, nepotizmi. “S’mund të ketë deputetë në një familje më shumë se anëtarë. Aq më tepër kur nuk përfaqësojnë asgjë për shkak të lidhjeve nepotike”, u shpreh ai.

Bashkëpunëtorët e SPAK

Ndërkohë presidenti i PL, Ilir Meta iu rikthye edhe njëherë akuzave se SPAK dhe bashkëpunëtorë të tij janë përpjekur të pengojnë organizmin e partisë për zgjedhjet parlamentare 2025. Sa i takon deklaratave që pati bërë se SPAK është përpjekur të bllokojë llogaritë bankare të PL, Meta theksoi se shumë shpejt do ngrihet komision hetimor për këtë çështje nën drejtimin e Petraq Milos. Po ashtu sipas Metës, do të kryhen hetime edhe për abuzimet me fondet e partisë. “Përpjekjet e bëra këto muaj nga bashkëpunëtorë të SPAK për të bllokuar organizmin e PL kanë marrë fund me sukses të plotë. Sidomos përpjekjet për të fshehur problemet që kanë shkaktuar me menaxhimin e buxhetit të PL gjatë kësaj periudhe dhe në periudhat e mëparshme. Shumë shpejt do ngrihet komision hetimor për këtë çështje nën drejtimin e Petraq Milos. PL mbi themelet e një transparence të re, do të jetë një shembull edhe i administrimit të shtetit nesër”, tha ai.

Raportet me Berishën

Por ndërsa Partia Demokratike ka caktuar drejtuesit politikë të qarqeve, Ilir Meta duke se është ende i paqartë se si do futet partia e tij në zgjedhje, koalicion me PD apo vetëm. I pyetur nga gazetarët nëse do të garojnë vetëm apo me Berishën, Meta tha se kjo çështje ka shumë kohë dhe është ende në shqyrtim. “Është çështje që ka shumë kohë dhe ne do studiojmë të gjitha opsionet që opozita të futet sa më fuqishëm në këto zgjedhje. Do bëjmë çdo përpjekje për të ndërtuar mekanizimin e organizmit për përballjen me regjimin, duke mos pasur iluzione se presim nga ky regjim kriminal standarde në zgjedhje”, nënvizoi ai. Sakaq protestave të Berishës, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se do t’iu bashkohet, ndërsa lajmëroi edhe një tur takimesh në gjithë vendin me moton “100 mijë duar, 100 mijë zemra”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related