Mentor Kusho, me profesion mësues, është rasti tipik se si shteti, biznesi dhe të gjithë strukturat sillen me qytetarët.
Me kursimet e jetës, ai nënshkroi një kontratë noteriale për blerjen e një apartamenti në Fier, me kompaninë “A&E kontruksion” në pronësi të Eqerem Mehmetaj dhe Agron Seitaj. Pas 16 vitesh, ai nuk e zotëron atë pronë. Madje, është futur në një spirale procesesh gjyqësore, padi, kundërpadi, pa gjetur të drejtën.
“Bëra një shënim në derë që është e shitur dhe gjatë kësaj kohe nuk u arrit të shitej edhe pse u tentua për t’u shitur nga pronarët e firmës. Mirëpo, duke parë numrin e telefonit, blerësi komunikohet dhe janë të hequr disa blerës”, u shpreh Mentor Kusho, denoncues.
Pas kallëzimit të Mentorit, gjykata dënoi me 8 vite burg për mashtrim ndërtuesin Mehmetaj. Ortaku tjetër, Seitaj, u dënua me 12 vite burg.
Këtu fillon një tjetër kalvar. Duke qenë se as pronarët e truallit nuk kishin marrë apartamentet e premtuara, atëherë gjykata ua kthen truallin së bashku me objektin 9-katësh që kishte përfunduar së ndërtuari. Ata aplikojnë për legalizim.
