Ndërron jetë Jani Vangjeli, botanist dhe specialist i florës së Shqipërisë

Data

Ka ndërruar jetën ditën e sotme, në moshën 79-vjeçare, akademik emeritus Jani Vangjeli, botanist dhe specialist i florës së Shqipërisë.

Jani Vangjeli, lindur në Tiranë, më 23 qershor 1945, kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore, të Universitetit të Tiranës, ku dhe u diplomua në biologji në vitin 1967. Në vitet 1969-1982 punoi si pedagog në katedrën e botanikës të Universitetit të Tiranës e prej vitit 1980 e deri në vitin 2007 ka punuar si kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve Biologjike, duke qenë edhe përgjegjës i Sektorit të florës, gjatë viteve 1990-1993, dhe drejtor e kryetar i Këshillit Shkencor të këtij Instituti në vitet 1993-1998.

Në rolin e drejtuesit të Institutit hapi drejtime të reja shkencore në fushën e studimeve ekologjike të formacioneve bimore, të dinamikës së vegjetacionit etj. Për veprimtarinë e tij të gjerë shkencore e të dalluar ai fitoi titullin profesor në vitin 1994 dhe u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2008.

Me punimet e tij, akademik Jani Vangjeli ka dhënë kontribut për studimin e florës dhe të vegjetacionit, duke u përqendruar sidomos në studimin e bimëve të rralla dhe të kërcënuara, të biodiversitetit e të vegjetacionit potencial natyror. Ai është bashkautor i 3 vëllimeve të veprës “Flora e Shqipërisë”, autor i disa monografive dhe ka qenë drejtues dhe redaktor shkencor i veprës “Excursion Flora of Albania”, botuar në Gjermani në vitin 2015.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related