Vendimi i Bashkimit Europian për të ndërprerë fondet për Shqipërinë ka ardhur si reagim ndaj dyshimeve serioze për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike. Avokatja Adriana Kalaja, e ftuar në një emision televiziv, deklaroi se në këto vite është ndërtuar një mekanizëm i rrezikshëm qeverisjeje, ku abuzimi me paratë publike shërben për blerje mandatesh dhe mbajtje të pushtetit.
Sipas Kalasë, sa më shumë rriten skandalet dhe vjedhjet, aq më shumë forcohet pushteti politik, duke krijuar një qark të mbyllur ku korrupsioni ushqen mandatin dhe mandati ushqen korrupsionin. Ajo theksoi se reagimi i institucioneve europiane tregon se situata është bërë alarmante.
Kalaja përmendi si sinjale të qarta humbjen e besimit nga BE-ja bllokimin e fondeve IPARD, fondet për shoqërinë dixhitale dhe hetime të mundshme mbi fonde të tjera, duke shtuar se dëmi në sektorë si shëndetësia është i jashtëzakonshëm. Sipas saj, qindra miliona euro janë abuzuar, ndërkohë që sistemi shëndetësor vijon të jetë në gjendje kritike.
Ajo ngriti shqetësimin për mesazhet kontradiktore nga përfaqësues europianë, të cilët nga njëra anë shohin probleme serioze me korrupsionin, ndërsa nga ana tjetër flasin për përparim në integrim. Kalaja theksoi se hapja e kapitujve nuk përbën sukses real dhe se suksesi matet vetëm me mbylljen e tyre.
Në përfundim, avokatja apeloi që institucionet europiane të verifikojnë realisht se ku shkojnë paratë e taksapaguesve dhe të mos mjaftohen me raporte formale apo deklarata politike, por me kontrolle konkrete mbi përdorimin e fondeve në Shqipëri.
