Raporti vjetor i NATO ka identifikuar Rusia si kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajonin euroatlantik.
Gjatë prezantimit të raportit, sekretari i përgjithshëm Mark Rutte theksoi se Moska ka intensifikuar përpjekjet për të testuar qëndrueshmërinë e aleancës përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimeve dhe aktiviteteve kibernetike dashakeqe.
Sipas raportit, në rast të një përshkallëzimi të konfliktit, Rusia mund të përqendrohet në shënjestrimin e infrastrukturës energjetike, duke rritur rrezikun për destabilizim të gjerë në vendet anëtare të NATO-s.
Dokumenti vë në dukje se përgjigjja e aleancës ndaj këtyre provokimeve ka qenë e menjëhershme dhe vendimtare, duke synuar ruajtjen e sigurisë kolektive dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Në kapitujt që trajtojnë Ballkanin Perëndimor, raporti thekson rëndësinë e pranisë së NATO-s në Kosovë për stabilitetin rajonal, si dhe nevojën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, theksohet bashkëpunimi i ngushtë me organizata ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, si element kyç për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet edhe rritjes së shpenzimeve për mbrojtje. Sipas të dhënave, vendet evropiane anëtare të NATO-s dhe Kanadaja kanë investuar rreth 574 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, një rritje prej 20% krahasuar me vitin e mëparshëm, në përputhje me kërkesat e Donald Trump për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.
