Nadir Çausholli ortak në hotelin 10-katësh “Rock of Kavaja” me Visin e Pojës

Data

Operacioni i fundit i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve italiane, i koduar “URA”, ka zbuluar lidhje të thella mes botës së krimit dhe sektorit të ndërtimit në Shqipëri. Një nga grupet kriminale të goditura në këtë aksion është ai i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si “Visi i Pojës”, i cilësuar si drejtues i një rrjeti kriminal në Durrës. Ai aktualisht është në kërkim dhe ndaj tij është lëshuar urdhër-arresti, ndërsa kompania e tij “Port Side” është sekuestruar.

Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti i Doçit nuk kufizohej vetëm në këtë kompani. Ai rezulton të jetë gjithashtu bashkëpronar në kompaninë ndërtimore “Eldemar Construction”, e cila në vitin 2023 ka përfituar leje për ndërtimin e një hoteli 10-katësh në Durrës.

Projekti është regjistruar në emër të shoqërisë “Rock of Kavaja” shpk, ku “Eldemar Construction” zotëron 40% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër prej 60% i përket “CFO Pharma”, kompani nën pronësinë e Nadir Çaushollit, biznesmen i farmaceutikës përfitues i miliona lekëve në tendera e po ashtu pronari i linjës së autobuzëve të unazës Green Line në kryeqytet. Çausholli ka qenë objekt i një atentati me armë në mars të këtij viti.

Leja për ndërtimin e këtij hoteli është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Megjithëse në dokumentacionin zyrtar figurojnë përfaqësues formalë, analiza e strukturës pronësore dhe historikut të personave të përfshirë nxjerr në dritë fakte shqetësuese.

Elvis Doçi kishte emëruar si përfaqësues të kompanisë “Eldemar Construction” ish-policët Denis Tafili dhe Gëzim Hasa, të dy të arrestuar në Itali në vitin 2016 për trafik droge, përkatësisht për përpunim dhe shpërndarje heroine.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related