Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ashpër pas tërheqjes së kompanisë “Affinity Partners”, në pronësi të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, nga projekti për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd.
Vuçiç e cilësoi vendimin si një dëm të madh ekonomik për Serbinë, duke deklaruar se vendi ka humbur një investim strategjik me vlerë jo më pak se 750 milionë euro.
“E humbëm një mundësi të jashtëzakonshme. Serbia u dëmtua rëndë nga kjo ‘gjueti shtrigash’ kundër investitorit dhe projektit,” tha Vuçiç, duke fajësuar protestuesit, opozitën dhe Prokurorinë.
Projekti ishte planifikuar të ndërtohej në vendin ku ndodheshin ish-ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, dhe parashikonte zhvillimin e një kompleksi banimi, biznesi dhe hotelerie me markën Trump.
Presidenti serb krahasoi situatën në Serbi me Shqipërinë, duke iu referuar projektit të paralajmëruar të Kushnerit në Ishullin e Sazanit.
“Një projekt më i vogël dhe më i dobët që po bëhet në Shqipëri po merr publicitet të madh, sepse do të promovohet nga e gjithë familja Trump. Ndërsa ne humbëm një investim madhor për shkak të kundërshtimeve të brendshme,” u shpreh Vuçiç.
Ai akuzoi opozitën dhe protestuesit se kanë vepruar kundër interesave të vendit, ndërsa paralajmëroi masa ligjore.
“Do të paraqes personalisht kallëzime penale kundër të gjithë atyre që kontribuuan në shkatërrimin e këtij investimi dhe shkaktuan dëm ekonomik ndaj Serbisë,” deklaroi Vuçiç, duke mohuar çdo pretendim për korrupsion në projekt.
Tërheqja e kompanisë së Kushnerit u njoftua më 15 dhjetor, në të njëjtën ditë kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje ligjore në procesin e heqjes së statusit të monumentit kulturor nga ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas prokurorisë, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Goran Vasiq, ka pranuar falsifikimin e dokumenteve që u përdorën për t’i hapur rrugë projektit ndërtimor.
Në reagimin e saj për Wall Street Journal, kompania “Affinity Partners” deklaroi se po tërhiqej nga projekti “nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit” dhe për shkak se projektet e mëdha “duhet të bashkojnë, jo të ndajnë”.
Eksperti amerikan Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se tërheqja e Kushnerit nuk ishte surprizë.
“Përpjekjet e qeverisë serbe për të hequr statusin e mbrojtjes kulturore nga ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm u shndërruan në një skandal. Ishte e qartë se ky projekt do të haste pengesa serioze,” tha Joseph.
Kushner kishte negociuar për më shumë se dy vjet me autoritetet serbe, ndërsa kontrata fillestare u nënshkrua në maj të vitit 2024. Ajo parashikonte heqjen e statusit të trashëgimisë kulturore, shembjen e ndërtesave ekzistuese dhe dhënien e tokës me qira falas për 99 vjet, me opsion pronësie.
