Muzetë e qytetit historik të Krujës kanë shënuar një interes të lartë gjatë vitit 2025, duke pritur mbi 212 mijë vizitorë gjithsej. Të dhënat janë bërë publike nga Qendra Muzeore Krujë në fillim të vitit 2026.
Sipas statistikave zyrtare, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ka qenë institucioni më i vizituar, me rreth 182 mijë vizitorë gjatë vitit që lamë pas. Ndërkohë, Muzeu Etnografik i Krujës është vizituar nga mbi 30 mijë persona.
Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i hapur në vitin 1982, mbetet një nga muzetë më të rëndësishëm dhe më të frekuentuar në Shqipëri. Që në hyrje, vizitorët përballen me një grup skulpturor madhështor që paraqet heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu së bashku me luftëtarët e tij, duke simbolizuar rezistencën shqiptare kundër Perandorisë Osmane në shekullin XV.
Brenda muzeut, pavijonet ofrojnë një pasuri të madhe objektesh historike, ku dallohen artefakte prej qeramike, bronzi dhe bakri, ikona dhe shpata mesjetare, dokumente dhe statute të vjetra, si edhe një kambanë e rrallë që daton nga viti 1462. Një nga pikat kulmore të ekspozitës është afresku monumental “Përballimi”, vepër e piktorit Naxhi Bakalli, që pasqyron në mënyrë simbolike qëndresën 25-vjeçare të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Nga ana tjetër, Muzeu Etnografik i Krujës u ofron vizitorëve një përjetim autentik të jetës, traditave dhe zakoneve të shtëpisë shqiptare ndër shekuj. I klasifikuar si monument kulture i kategorisë së parë, ky muze vlerësohet për arkitekturën e tij tipike ballkanike dhe për atmosferën e thjeshtësisë rurale që transmeton.
Qendra Muzeore Krujë ka falënderuar të gjithë vizitorët e vitit 2025 dhe ka ftuar publikun vendas dhe të huaj që të vijojnë të vizitojnë muzetë dhe qytetin historik të Krujës edhe gjatë vitit 2026, duke forcuar më tej rolin e tij si një nga destinacionet kryesore të trashëgimisë kulturore shqiptare.
