Murrizi kritikon zgjedhjet në strukturat e PD: Nga “rithemelimi” në rikthimin e figurave të vjetra

Data

Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka reaguar ashpër pas zgjedhjeve të zhvilluara në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, duke i cilësuar ato si një proces formal dhe larg premtimeve për rinovim.

Sipas Murrizit, premtimi për një “rithemelim” të PD-së është zëvendësuar me rikthimin e figurave që më parë kanë qenë pjesë e drejtimit të partisë gjatë periudhës së Lulzim Bashës.

Ai shprehet se gara e vetme reale gjatë procesit ishte ajo mes Luçiano Boçit dhe Belind Këlliçit për një nga postet e nënkryetarit të partisë, ndërsa kandidaturat e tjera, sipas tij, ishin të paracaktuara.

Në reagimin e tij, Murrizi ngre dyshime edhe për mënyrën e zhvillimit të garës, duke deklaruar se disa prej kandidatëve formalë mund të mos kenë votuar as për veten e tyre.

Gjithashtu, ai kritikon emërimin dhe qëndrimin në poste të disa drejtuesve pa votim, duke pretenduar se kjo bie ndesh me statutin e Partisë Demokratike.

Murrizi thekson se shumë nga figurat që kishin mbështetur Lulzim Bashën dhe kishin kundërshtuar rikthimin e Sali Berishës, tashmë janë pjesë e strukturave drejtuese të PD-së, duke e cilësuar këtë si një transformim të “rithemelimit” në një “rikthim”.

Sipas tij, procesi nuk përfaqëson një ripërtëritje reale, por riciklim të figurave ekzistuese, ndërsa shton se vlerësimi i drejtuesve të rinj do të bëhet nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

Në fund të reagimit, Murrizi thekson se prova e vërtetë për Partinë Demokratike nuk janë zgjedhjet e brendshme, por mbështetja që ajo do të marrë në kutitë e votimit, duke shtuar se pas shumë vitesh në opozitë, qytetarët nuk binden më nga retorika politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related