Pas më shumë se tre orësh, është mbyllur protesta e pestë radhazi e qytetarëve kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.
Qindra qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku zhvilluan një tubim paqësor duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe politikave që, sipas tyre, rrezikojnë pasuritë natyrore dhe publike të vendit.
Gjatë protestës u theksua se lëvizja është qytetare dhe e pavarur nga partitë politike. Protestuesit deklaruan se mirëpresin të gjithë qytetarët që ndihen të papërfaqësuar nga forcat tradicionale politike.
Në përfundim të tubimit, përfaqësues të asaj që u prezantua si “grupi nismëtar” shpallën pesë kërkesa që i cilësuan të qarta dhe të panegociueshme:
• Dorëheqjen e qeverisë;
• Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
• Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
• Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;
• Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim deri në adresimin e kërkesave të paraqitura.
EuroAlbania
