Shefi i Organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, ka bërë një deklaratë të fortë në një emision televiziv, ku kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë dhe SPAK. Ai akuzoi qeverinë dhe institucionet për mbrojtje selektive të zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive.
“Belinda Balluku është e lirë, ndërsa motra e saj ka qenë pjesë e vettingut dhe mund të ketë ndërhyrë në proces sa herë të dojë. Belinda që vjedh me lopatë, që vjedh tokat dhe energjinë e shqiptarëve, është e lirë,” u shpreh Balliu.
Ai e cilësoi drejtësinë aktuale si një “sistem kriminal” dhe bëri thirrje për reformimin e SPAK, duke e quajtur institucionin aktual një produkt të kapur nga politika. “Duhen shkrirë skap-istët. Duhet të bëjmë SPAK, deri tani kemi SKAP. Këto janë lojëra të politikës,” tha ai, duke akuzuar sistemin për mungesë të vërtetë drejtësie.
