Moti i keq ka përfshirë këtë të hënë disa zona të vendit, duke sjellë problematika të shumta në qarkun e Gjirokastrës. Reshjet e shiut kanë qenë të herëpashershme, të shoqëruara me erëra të forta, ndërsa lumenjtë Vjosa dhe Drino vijojnë të jenë në nivele normale.
Në bashkinë Tepelenë, në orët e para të mëngjesit janë shfaqur probleme në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, për shkak të rënies së inerteve nga shpatet malore. Si pasojë, qarkullimi i automjeteve po kryhet me vështirësi dhe vetëm në një korsi.
Situata paraqitet më problematike në fshatin Nivicë, njësia administrative Kurvelesh, në zonën e quajtur Vreshtan, ku janë konstatuar rrëshqitje dheu. Si pasojë, rrezikohen 4–5 banesa. Kontraktori përgjegjës është njoftuar dhe po punon për pastrimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit normal.
Ndërkohë, në bashkinë Tepelenë, njësia administrative Kurvelesh ka pësuar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa aktualisht pa energji ka mbetur edhe njësia Qendër. Nga bashkitë e tjera të qarkut Gjirokastër nuk raportohen deri tani situata emergjente.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore dhe në akset rrugore të prekura nga rrëshqitjet.
