Banorë të Rrjollit dhe të Durrësit janë mbledhur në protestë para Parlamentit në Tiranë, duke kundërshtuar atë që e konsiderojnë grabitje të pronave të tyre.
Tubimi është organizuar nga “Partia Mundësia”, ndërsa protestës i janë bashkuar edhe banorë të zonës së Rrjollit, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në atë zonë.
Protestuesit pretendojnë se tokat ku po zhvillohet projekti janë prona të trashëguara nga familjet e tyre dhe se ato janë zaptuar në mënyrë të padrejtë.
Gjatë protestës u mbajtën pankarta me mesazhe si “Pa drejtësi nuk ka shtet”, ndërsa banorët kërkuan ndërhyrjen e institucioneve për të verifikuar pronësinë e tokave dhe për të ndalur projektin.
Një prej protestuesve iu drejtua publikisht biznesmenit Bashkim Ulaj, duke deklaruar se banorët nuk do të heqin dorë nga pronat e trashëguara nga familjet e tyre.
Sipas tyre, protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim nëse nuk ka reagim nga institucionet për këtë çështje.
