Pas një liste të gjatë ekzaminimesh të kryera në një klinikë private për vajzën e saj 10-vjeçare, Arsilda kërkon të blejë në farmaci medikamentet që i ka përshkruar mjeku. Me recetën në telefonin e saj, ajo i shpjegon farmacistes se i nevojitet një antibiotik dhe një suplement për të luftuar infeksionin e së bijës.
“Vajza trajtohet për streptokok, ka dhimbje kockash, dëmtim, deformim, për këtë duhet mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm,” thotë nëna e tre fëmijëve.
Arsilda i tha BIRN se të gjitha ekzaminimet në privat, përfshirë edhe medikamentet i kushtuan rreth 30 mijë lekë [300 euro], por nuk kishte një zgjidhje tjetër.
“Për të ndjekur takimet në shtet për ne është e vështirë, duhet të lë punën, por kam edhe dy fëmijët e tjerë për të cilët duhet të kujdesem,” tha ajo, ndërsa theksoi se në çdo rast i është drejtuar sistemit privat shëndetësor për trajtimin e fëmijëve të saj.
Edhe pse Shqipëria ofron ligjërisht mbulim shëndetësor për fëmijët deri në 18 vjeç, mijëra prindër paguajnë nga xhepi i tyre kostot e trajtimeve mjekësore për shkak të burokracive në sistemin publik dhe protokolleve mjekësore në fuqi.
