Parlamenti moldav votoi dje për një kryeministër të ri, i cili do ta çojë vendin e vogël drejt Bashkimit Evropian dhe lirisë nga ndikimi rus. Alexandru Munteanu, një ekonomist 61-vjeçar, u emërua pas zgjedhjeve parlamentare në shtator, në të cilat Partia qeverisëse e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) e presidentes Maia Sandu mundi bindshëm një rival pro-rus dhe fitoi një mandat të ri për të vazhduar rrugën e Moldavisë drejt BE-së. “Ne kemi një mundësi unike për t’u bërë qeveria që do ta sjellë Moldavinë në Bashkimin Evropian,” tha Munteanu para votimit në parlament, ku mori mbështetjen e 55 nga 101 deputetëve. Qeveria e Munteanut do të duhet të përballet me kushte ekonomike dukshëm të pafavorshme dhe inflacion në rritje të vazhdueshme, kryesisht rezultat i pushtimit të Ukrainës fqinje nga Rusia që nga viti 2022. Bashkimi me BE-në mund të zgjasë shumë vite dhe Moldavia do të duhet të ndërmarrë reforma të vështira, përfshirë reformën gjyqësore.
Për Munteanun, i cili ka punuar jashtë vendit për rreth 20 vjet, përfshirë edhe për Bankën Botërore, kjo është detyra e tij e parë politike dhe ai renditi ‘BE-në, paqen, rritjen’ si prioritete të qeverisë së tij. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar shihet si një mesazh për Moskën, qendrën politike të Moldavisë në epokën sovjetike, të cilën zyrtarët e akuzojnë për ndërhyrje të përhapura politike. Rusia i mohon këto akuza. Munteanu bëri të ditur gjithashtu se Kishinau do të përpiqej të zgjidhte një mosmarrëveshje të gjatë me rajonin e saj të Transnistrisë, i cili, i udhëhequr nga separatistët pro-rusë, u shkëput në një luftë të shkurtër në fillim të viteve 1990. Konflikti është i fjetur, por nuk është zgjidhur dhe ka pasur pak përparim.
