Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Ai thekson se dy vendet duhet të kenë bashkëpunim më të madh edhe ndërmjet shtabeve të ushtrive pasi sipas tij, vetëm në këtë mënyrë, mund të përballohet çfarëdo lloj aventure e Serbisë
Në një intervistë për KosovaPress, Moisiu thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është ideatori kryesor i agresionit ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë.
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit kishte ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar, nga një grup i serbëve të armatosur. Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, parti kjo e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Megjithatë, ish-presidenti i Shqipërisë thekson se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë teksa kërkon nga autoritetet kosovare koordinim më të madh me aleatët, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure.”, thotë ai.
