Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e së martës në autostradën Vlorë–Fier, pranë nënkalimit të Panajasë, ku janë përfshirë një motomjet dhe një automjet.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një gabimi në manovrim. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se drejtuesi i motorit është futur në autostradë në momentet e fundit, ndërsa motomjete të tjera që udhëtonin me të kishin marrë daljen nga aksi rrugor.
Në këto kushte, një automjet tip Audi Q5, që po qarkullonte në të njëjtin drejtim, nuk ka mundur të shmangë përplasjen dhe ka goditur motorin nga pas.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motorit ka mbetur i lënduar lehtë. Ai ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë kryer veprimet procedurale dhe po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.
Pas largimit të mjeteve të përfshira në përplasje, qarkullimi në autostradë është rikthyer në normalitet.
