Viti 2026 pritet të jetë vendimtar për nxjerrjen në dritë të skemave të gjera korruptive që, sipas kritikëve, kanë prekur jo vetëm sektorët strategjikë të vendit, por edhe sigurinë kombëtare. Ky është paralajmërimi i ekonomistes Brisida Shehaj, e cila foli në një intervistë televizive për zhvillimet që pritet të shënojnë muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Sipas saj, fillimi i janarit do të shoqërohet me dosje edhe më të forta, të cilat nuk do të lidhen thjesht me emra individualë, por me atë që ajo e cilëson si përgjegjësi direkte të kryeministrit Edi Rama.
“Dosjet që do të pasojnë dhe denoncimet kanë të bëjnë jo thjesht me një emër, por me faktin se vetëm një emër del gjithmonë në qendër: Edi Rama. Do të jenë denoncime publike të nivelit të llumit ku e ka futur Shqipërinë, të nivelit të pazarave ndërkombëtare ku e ka futur vendin dhe të rrezikut që i ka krijuar marrëdhënieve tona me partnerin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Shehaj.
Ajo komentoi gjithashtu Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA për vitin fiskal 2026, i cili u miratua nga Kongresi dhe u nënshkrua në ligj në dhjetor 2025. Sipas Shehajt, ky ligj është një sinjal i qartë i shqetësimit amerikan për rritjen e ndikimit ruso-kinez në Ballkan, ku përfshihet edhe Shqipëria.
“Ky ligj tregon qartë që Amerika ka një fokus shumë të madh në Ballkan. Në të përmenden investimet ruso-kineze dhe kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me Shqipërinë. Unë mendoj se 2026 do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për të kuptuar se çfarë pazare janë bërë, ku janë bërë dhe me çfarë pasojash për vendin”, tha ajo.
Shehaj theksoi se periudha në vijim do të jetë vendimtare jo vetëm për individë të caktuar, por për vetë të ardhmen e shtetit. Sipas saj, sektorë strategjikë si energjia dhe siguria kibernetike janë “masakruar” nga korrupsioni dhe keqqeverisja.
Një tjetër shqetësim madhor që ajo ngriti ishte kriminalizimi i biznesit, duke theksuar se kjo ndërthurje ka arritur nivele alarmante.
“Kur grupet kriminale i shohin tenderët publikë si burim më të sigurt fitimi sesa trafiku i drogës, kjo tregon se sa thellë ka shkuar problemi. Kriminalizimi i biznesit të madh nuk do të thotë vetëm kriminalizim i ekonomisë, por i gjithë shoqërisë”, tha ajo.
Në fund, Shehaj ironizoi lidhjet mes politikës dhe biznesit, duke u ndalur te disa emra konkretë.
“Kur lexon se çfarë shkruhet dhe çfarë del në publik, të lind pyetja: si e sheh veten në pasqyrë ai biznesmen kur çohet në mëngjes? Kur kriminalizon biznesin, që është motori i ekonomisë së një vendi, atëherë ky është fundi”, përfundoi ajo.
