Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur akuza të ashpra ndaj qeverisë gjatë një takimi me mbështetës në Berat, duke e cilësuar situatën në vend si alarmante për demokracinë dhe ekonominë.
Salianji u shpreh se korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar kanë kapur nivelet më të larta të qeverisjes, ndërsa ministrat, sipas tij, “duken si sheikë” dhe jetojnë të shkëputur nga realiteti i qytetarëve.
“A i keni parë ministrat, që duken si sheikë? Si janë shkrirë me krimin? Në këto kushte rriten fëmijët? Çdo gjë blihet me para. Kjo nuk është një qeveri që përfaqëson qytetarët shqiptarë, por një pushtet që e trajton shtetin si plaçkë lufte”, deklaroi ai.
Sipas Salianjit, situata ekonomike dhe sociale po përkeqësohet, ndërsa investimet publike, që ai i quajti “rrugë të florinjta”, po degradojnë për shkak të korrupsionit dhe abuzimit me fondet.
Ai u ndal edhe te ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se synon të kufizojë veprimtarinë e SPAK-ut për të mbrojtur veten dhe ministrat e tij nga hetimet.
“Ndryshimet ligjore nuk bëhen për qytetarët që përballen me padrejtësi, por për të garantuar që Rama dhe ministrat e tij të mos preken nga SPAK. Kjo është një përpjekje për të blinduar pushtetin”, tha Salianji.
Në fund, ai theksoi se sipas tij, ndryshimi në vend mund të vijë vetëm përmes një opozite të fortë dhe të reformuar, duke shtuar se Partia Demokratike duhet të rikthehet në rolin e saj si forcë që mbron pluralizmin dhe demokracinë.
