Biznesmeni Elman Abule, i njohur si mik i afërt i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sërish këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Abule është thirrur në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e njohur si “Xoxa–Veliaj”, një çështje që po shqyrtohet nga SPAK dhe që përfshin dyshime për afera financiare dhe lidhje të dyshimta mes biznesit dhe pushtetit vendor.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se paraqitja e tij lidhet me veprime procedurale shtesë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të rëndësishme të çështjes.
SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar mbi përmbajtjen e seancës apo mbi statusin procedural të Abules, ndërsa hetimet për dosjen “Xoxa–Veliaj” vijojnë.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Elman Abules përmendet në kuadër të kësaj dosjeje, e cila po konsiderohet si një nga çështjet më të ndjeshme që lidhen me drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
