Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin ose vendndodhjen e disa prej udhëheqësve kryesorë iranianë.
Njoftimi është bërë nga Programi i Shpërblimeve për Drejtësi i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe vjen në një moment tensionesh të larta, ndërsa vijon fushata ushtarake amerikane dhe izraelite kundër Iranit.
Në mesin e personave për të cilët kërkohen informacione përfshihet edhe Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, si dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të strukturave shtetërore dhe ushtarake.
Lista përfshin gjithashtu:
- zëvendësshefin e shtabit Ali Asghar Hejazi,
- këshilltarin ushtarak Yahya Rahim Safavi,
- këshilltarin politik Ali Larijani,
- ministrin e Brendshëm Eskandar Momeni,
- dhe ministrin e Inteligjencës dhe Sigurisë Esmail Khatib.
Autoritetet amerikane kërkojnë edhe informacione për disa zyrtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të cilët sipas tyre kanë rol kyç në operacionet e kësaj force.
Në njoftimin zyrtar thuhet se këta individë drejtojnë dhe koordinojnë aktivitetet e IRGC-së, organizatë që sipas SHBA-së planifikon dhe kryen operacione terroriste në nivel ndërkombëtar.
Sipas Departamentit të Shtetit, Garda Revolucionare që nga themelimi në vitin 1979 ka fituar një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme të Iranit dhe ka ndikim të madh edhe në ekonominë dhe politikën e brendshme të vendit.
