Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me hetimet për kontratën e lobimit të ish-Lëvizja Socialiste për Integrim me kompaninë amerikane GSIS, duke publikuar një seri pyetjesh që, sipas tij, duhet t’i drejtohen autoriteteve amerikane nga SPAK.
Në një deklaratë publike, Meta pretendon se prej katër vitesh nuk janë dërguar “pyetjet e munguara” drejt Departamentit të Drejtësisë në SHBA, pyetje që sipas tij janë thelbësore për zbardhjen e plotë të çështjes së kontratës së vitit 2016 mes LSI-së dhe kompanisë lobuese GSIS.
Meta tha se më 23 qershor 2026 përfundon afati i një vendimi gjykate në SHBA, i cili sipas tij ka ndaluar kompaninë GSIS të japë informacion për dy vite lidhur me shërbimet dhe pagesat e kryera në kuadër të kontratës së nënshkruar më 3 shkurt 2016.
Sipas Metës, ky vendim është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë shqiptare dhe ka penguar sigurimin e provave që, sipas tij, do ta shfajësonin nga akuzat.
Në reagimin e tij, Meta renditi tetë pika që kërkon t’u adresohen autoriteteve amerikane, mes tyre:
- dokumentin origjinal të ndërprerjes së marrëveshjes mes LSI dhe GSIS;
- produktin e plotë të punës së dorëzuar nga GSIS;
- informacionin konfidencial të shkëmbyer mes palëve;
- çdo ndryshim apo modifikim të kontratës;
- faturat dhe pagesat origjinale të kryera nga LSI;
- si dhe çdo autorizim apo transferim të mundshëm të marrëveshjes.
Meta kërkon gjithashtu që të sqarohet nëse shtetasi amerikan A.SH ka kryer pagesa në funksion të LSI-së dhe nëse ka pasur autorizim nga partia për veprime të tilla.
Ai akuzoi prokurorët e SPAK se nuk kanë pasur interes për zbardhjen e së vërtetës, por, sipas tij, “i kanë shërbyer lojës politike”.
Në fund të reagimit, Meta iu referua edhe një akuze të mëparshme lidhur me një kontratë lobimi me “McKeon Group”, duke pretenduar se ajo është rrëzuar zyrtarisht në nëntor 2024, por sipas tij kjo është mbajtur e fshehtë deri pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Sipas legjislacionit shqiptar, çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
