Prokuroria e Posaçme dy ditët e fundit ka “zbërthyer” çiftin Meta-Kryemadhi për dosjet e tyre korruptive. Dje kanë dalë detaje interesante nga hetimet që ka në duar SPAK. Këto i ka zbuluar vetë Ilir Meta. Ish-presidenti pas marrjes në pyetje për 3 orë nga Sotir Kllapi, prokurori që po heton aferat e tij, pranoi se ka dhënë leje për ndërtime në Gjirin e Lalëzit, ku edhe ka një vilë dykatëshe me sipërfaqe 317 m2. Meta tha se kush ka kërkuar leje për të ndërtuar fshatra turistë ka marrë, ndërsa theksoi se kjo i ka dhënë zhvillim vendit. Për të inauguruar kompleksin Lura shtoi Meta, ka shkuar me helikopter pasi me makinë duhej 4 orë. Meta ka treguar dje për gazetarët së është pyetur në lidhje me njohjet me disa persona e me veprime të bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi për blerjen dhe arredimin e vilës në Gjirin e Lalzit. Meta tha se me llogaritë merrej Kryemadhi, ndërsa merrej me politikë, ku në këtë mënyrë ai ia faturoi gruas së tij, korrupsionin që po gjen SPAK në hetimet ndaj tyre. Nga ana tjetër, vetë Meta tregoi se nga përgjimet e SPAK ka dalë dhe palmat që ka marrë si dhuratë për ditëlindje për te Gjiri Lalzit. Më poshtë është një pjesë e deklaratës së Ilir Metës dhënë dje për gazetarët, ku zbulohen dhe detaje nga hetimet e SPAK.
-Zoti Meta, bashkëshortja juaj, Monika Kryemadhi tha se ka besim ndaj SPAK-ut, ndryshe që flisni ju krejt të kundërtën. Pse ky qëndrim ndryshe?
Unë nuk kam patur asnjëherë asnjë besim te SPAK-u. Sepse SPAK-u që kur u krijua, u krijua në mënyrë të paligjshme. A u zgjodh Prokurorja e Përgjithshme me 69 vota, nga 84 që kishte Kushtetuta, që u votua me 140 deputet? Kjo prokurore a bëri emërimet e ndërrimet kudo në të gjitha Prokuroritë e Shqipërisë, nga këto a u zgjodh KLP-ja, që e dimë të gjithë. SPAK-u a nuk doli nga KLP-ja e si do kisha besim te SPAK-u. Por ne kemi qenë të detyruar të mbështesim SPAK-un dhe këdo me denoncime, me fakte konkrete dhe nuk ka asnjë arritje të SPAK-ut. E gjitha është mashtrim. SPAK-u vetëm ka gjymtuar hetimet që ka bërë opozita. SPAK-u ka reaguar me shumë vonesë.
-Në bazë të asaj që ju deklaruat pak më parë, a i druheni një hetimi penal? Dhe nëse po, keni ndërmend të përballeni me drejtësinë apo ta sfidoni?
E para, kjo nuk është drejtësi por degjenerim, e cila përpiqet të mbrojë Edi Ramën nga fjalët monstruozë. Është degjenerim se më pyet mua ai për Alberton, për palmat që mori Alberto brenda 24 orëve, por nuk ka pyetur akoma Edi Ramën për 17 vendimet. Nuk i nxjerr një herë emrin Edi Ramës, tek te gjitha akuzat që ka te Sali Berisha, kur e di shumë mirë se Erion Veliaj iu uzurpoi kompetencat e tjetër kujt të Këshillit Bashkiak dhe e zhyti Tiranën për 30 vite në borxhe. Unë do të ballafaqohem kudo, me të gjitha fundërrinat e Ramaformës dhe me laraskat e tyre, këtu, matanë detit e matanë oqeanit, kudo që ata të kenë dëshirë. Ilir Meta në të gjithë aktivitetin e tij, nuk ka asnjë akt, asnjë vendim që cënon interesin publik dhe ligjin. Ndërsa aty është mali i të gjithë skandaleve, me firmë, me zë dhe me figurë e me gjithçka. Por ata duan të marrin dhe një mandat tjetër në zgjedhjet e 2025-ës.
