Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka komentuar pretencën e SPAK ndaj Monika Kryemadhit, Fatjon Çokut dhe Erisa Xhixhos, të cilët kanë zgjedhur procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Në një intervistë, Meta deklaroi se nuk është thirrur në procesin gjyqësor ndaj tyre dhe se nuk ka pasur kurrë bashkëpunim të paligjshëm me asnjërin prej tyre.
Sipas tij, ai vetë ka kërkuar që të tre të thirren si dëshmitarë në procesin gjyqësor që zhvillohet ndaj tij.
Pjesë nga deklarata e Ilir Metës:
“Nuk më takon mua të shprehem për ballafaqimet e personave të tjerë me drejtësinë, për më tepër që ata janë të lirë dhe kanë avokatët e tyre.
Ndërkohë, askush nuk më ka thirrur në procesin e tyre, ndërsa unë kam kërkuar thirrjen e të treve në procesin tim.
Dua t’ju rikonfirmoj se asnjë prej tyre nuk ka pasur asnjë lloj bashkëpunimi me mua në shkelje të ligjit dhe as kam pasur ndonjëherë dijeni për ndonjë veprim të tyre të parregullt.
Çdo përpjekje për të krijuar perceptime të rreme për mua do të marrë përgjigjen e merituar deri në çmontimin përfundimtar të kësaj, sipas meje, farse kriminale.”
Meta hodhi akuza edhe ndaj SPAK-ut, duke pretenduar se organi i akuzës ka fshehur dhe manipuluar prova, përfshirë letërporositë me SHBA, si dhe kritikoi ekspertizën financiare të përdorur në hetim.
Ai deklaroi se procesi ndaj tij duhet të zhvillohet sipas standardeve kushtetuese dhe atyre të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa përsëriti pretendimin se arrestimi i tij ka qenë i paligjshëm dhe se kallëzimi penal që ka depozituar për këtë çështje ende nuk është shqyrtuar.
