Ilir Meta pritet të rrëfejë sekrete që mund të ndryshojnë historinë e vrasjeve në 21 janar 2011. Ish-presidenti kërkon të dëshmojë në SPAK dhe pretendon se ka informacion të panjohur që mund të hedhë dritë mbi katër ekzekutimet e bulevardit. Meta dërgoi së fundmi një shkresë zyrtare ku kërkon të merret në pyetje si “person në dijeni”, duke deklaruar se disponon të dhëna të vlefshme që grupi hetimor nuk i ka. Dëshmia e ish-presidentit thuhet se mund të prekë figura politike të profilit të lartë dhe të zbulojë përgjegjësi të fshehura që kanë mbetur jashtë hetimeve. SPAK duhet të vendosë se si dhe kur do të thirret Meta, ndërsa pritshmëritë janë të mëdha që informacioni i tij të hedhë dritë mbi ngjarjet dhe të ndryshojë rrjedhën e hetimit, pasi burime bëjnë me dije se ish-presidenti nuk do të kursejë askënd.
Çfarë di Ilir Meta?
Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, komentoi dje gatishmërinë e Metës për të dëshmuar lidhur me ngjarjet e 21 janarit. Haxhinasto tha se Meta zotëron informacion të gjerë për atë që ka ndodhur dhe për paralajmërimet që, sipas tij, janë bërë para protestës. Sipas deputetit, kishte të dhëna se protesta do të ishte e dhunshme, por institucionet nuk morën masat e nevojshme. Ai shtoi se paralajmërimet vinin nga ambasada dhe institucione të specializuara, por pavarësisht kësaj, nuk u ndërmor veprimi i duhur për të shmangur përshkallëzimin. “Nuk kam informacion konkret, por ai ka shprehur se ka pretendimet që janë reale për të cilat gjërat dihen botërisht që njoftimi ka qenë që do ketë një demonstrim të dhunshëm dhe nuk janë marrë masat e duhura për të ndaluar këtë. Ka pasur informacion nga ambasadat, institucionet e specializuara dhe masat nuk ishin të tilla për ta ndaluar diçka të tillë.
