Kancelari gjerman Friedrich Merz ka lënë të hapur për herë të parë mundësinë e përfshirjes së Gjermanisë në një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse në Ukrainë, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e Berlinit ndaj fazës pas përfundimit të luftës.
I pyetur drejtpërdrejt në një intervistë për televizionin publik gjerman ZDF, Merz nuk e përjashtoi një angazhim të tillë, duke theksuar se diskutimi aktual lidhet me periudhën pas armëpushimit dhe nevojën e Ukrainës për siguri afatgjatë.
“Putini ka thënë ‘jo’ për shumë gjëra. Por në fund, ai do të duhet të thotë ‘po’ kur të vijë momenti për t’i dhënë fund luftës. Ajo që po diskutojmë tani është periudha pas përfundimit të saj, dhe atëherë Ukraina do të ketë nevojë për mbrojtje”, u shpreh Merz.
Ai sqaroi se e ashtuquajtura “Aleanca e të Gatshmëve” nuk përfshin vetëm vende evropiane, por edhe shtete si Kanadaja dhe Australia, duke treguar se çdo mision i mundshëm do të kishte karakter ndërkombëtar dhe do të ishte pjesë e një pakete më të gjerë angazhimesh.
Në të njëjtën linjë, Zëvendëskancelari dhe Ministri i Financave Lars Klingbeil u shpreh më i rezervuar, duke theksuar se debati për trupa paqeruajtëse duhet të bëhet vetëm kur të jetë realisht i nevojshëm.
“Nuk duhet të vendosim qerren para kalit. Gjermania është mbështetësja më e madhe e Ukrainës dhe do të përmbushë gjithmonë përgjegjësitë e saj”, tha Klingbeil, duke shtuar se gjithçka varet nga qëndrimi i presidentit rus.
“Topi tani është në fushën e Putinit, por unë kam ende dyshime nëse dhe sa ai e dëshiron vërtet paqen”, deklaroi ai.
Edhe Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u shfaq i kujdesshëm, duke e cilësuar ofertën evropiane si një shenjë të përgjegjësisë së përbashkët, por theksoi se përmbajtja konkrete e një misioni të tillë do të varet nga zhvillimet në terren dhe reagimi i Moskës.
Deklaratat vijnë pas samitit të Berlinit, ku një deklaratë e përbashkët u nënshkrua nga liderët e Francës, Britanisë, Polonisë, Italisë, Danimarkës, Finlandës, Holandës, Norvegjisë dhe Suedisë, si edhe nga Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Sinjali nga Berlini është i qartë: Evropa po përgatitet edhe për ditën pas luftës, ndërsa vendimi final mbetet në duart e Vladimir Putinit.
