Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas publikimit të përgjimeve të reja nga dosja e Belinda Ballukut, ku sipas tij, për herë të parë del qartë roli i kryeministrit Edi Rama si vendimmarrësi real i tenderave publikë.
Në një deklaratë publike, Këlliçi thekson se përgjimet përbëjnë provën përfundimtare dhe se heqja e imunitetit të Ballukut nuk duhet të jetë fundi, por vetëm hapi i parë i drejtësisë.
“Prova përfundimtare e kapjes së shtetit”
Sipas deputetit demokrat, në komunikimet e zbardhura nga SPAK përmendet hapur emri i kryeministrit si përcaktuesi i vërtetë i tenderave, duke dëshmuar se korrupsioni nuk është individual, por i organizuar në nivelet më të larta të qeverisjes.
“Kemi të bëjmë me prova që nuk lënë më asnjë hapësirë për interpretime. Në përgjimet e të pandehurës Belinda Balluku, emri i kryeministrit del hapur si dirigjues i aferave korruptive,” – shprehet Këlliçi.
Ai shton se gjuha e përdorur nga zv.kryeministrja në përgjime, e ngjashme me kodin e mafias, tregon një sistem ku vendimmarrja për paratë publike bëhet në mënyrë kriminale dhe jashtë çdo ligji.
“Rama është aktori kryesor”
Këlliçi thekson se përgjimet faktojnë ekzistencën e një aktori edhe më të fuqishëm se Balluku në këtë skemë, duke e identifikuar atë drejtpërdrejt si Edi Ramën.
“Kjo tregon se përveç Belinda Ballukut, ka një aktor tjetër shumë më të fuqishëm në grabitjen e parave të shqiptarëve. Ai është Edi Rama,” – deklaron deputeti.
Sipas tij, Rama dhe Balluku duhej të ishin tashmë pas hekurave, ndërsa drejtësia po vepron me vonesë përballë një skandali të përmasave kombëtare.
Thirrje për protestë më 22 dhjetor
Në fund të reagimit të tij, Këlliçi u bën thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të marrin pjesë masivisht në protestën e 22 dhjetorit, përpara Kryeministrisë.
“Heqja e imunitetit të Ballukut është vetëm fillimi. Kjo duhet të pasohet nga dorëheqja dhe hetimi i plotë i kryeministrit. Fjalën e fundit duhet ta thonë qytetarët,” – thekson ai.
“Të hënën, më 22 dhjetor, të gjithë në shesh, përballë kryeministrit më të korruptuar të Europës,” – përfundon deklarata.
