Mentor Kikia: Protestat kanë marrë përmasa të pazakonta, lëvizja qytetare po shkon drejt një faze më politike

Data

Analisti Mentor Kikia ka komentuar protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe në disa qytete ku jeton diaspora shqiptare, duke i cilësuar ato si një nga mobilizimet më të rëndësishme qytetare të viteve të fundit.

Në një intervistë televizive, Kikia vlerësoi karakterin qytetar të protestës dhe pjesëmarrjen e gjerë të grupeve të ndryshme shoqërore, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson vetëm një kategori të caktuar qytetarësh.

Sipas tij, protesta ka tejkaluar prej kohësh çështjen e Zvërnecit dhe tashmë është shndërruar në një shprehje më të gjerë të pakënaqësisë ndaj qeverisjes.

“Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë pjesëmarrje masive. Elementi më i rëndësishëm është qytetaria që e përshkon protestën. Nuk kemi të bëjmë me një grup specifik si studentët, fermerët apo një kategori e vetme sociale. Kërkesat janë të shumta dhe fokusi kryesor është largimi i qeverisë”, u shpreh Kikia.

Ai theksoi se mungesa e një strukture të qartë përfaqësuese mund ta bëjë më të vështirë çdo përpjekje për negociata apo dialog politik, pasi protesta nuk është e përqendruar te një kërkesë e vetme.

Analisti vuri në dukje se simbolika e protestës ka evoluar gjatë ditëve të fundit, duke përmendur edhe figurën e flamingos, e cila sipas tij është kthyer në një nga simbolet më të njohura të reagimit qytetar.

“Shqiponja mbetet simboli i bashkimit kombëtar, ndërsa flamingoja është shndërruar në simbol të reagimit qytetar”, tha ai.

Kikia e krahasoi mobilizimin aktual me disa nga momentet më të rëndësishme të reagimit publik në historinë e tranzicionit shqiptar, duke përmendur protestat e vitit 1997, lëvizjen kundër armëve kimike në vitin 2013 dhe protestat studentore.

“Qytetarët shqiptarë rrallëherë kanë zbritur masivisht në rrugë. Kjo e bën këtë zhvillim të rëndësishëm dhe të veçantë në jetën publike të vendit”, deklaroi ai.

Në analizën e tij, Kikia shtoi se protesta ndodhet në një fazë të rëndësishme zhvillimi dhe se mbetet për t’u parë nëse ajo do të transformohet në një projekt politik më të organizuar.

“Aktualisht kemi një reagim të gjerë qytetar. Ende nuk kemi një përballje të strukturuar politike me qeverinë dhe as një projekt politik të konsoliduar që ta kanalizojë këtë energji”, përfundoi analisti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related