‘Megafon i qeverisë’: Makineria e propogandës po minon gazetarinë në Shqipëri

Data

Në ekran mesditën e 11 marsit, kryetari i Bashkisë së Tiranës shfaqej i qetë dhe i buzëqeshur, ndërsa përuronte ndërtimin e një kopshti në lagjen Yzberisht të Tiranës. Kamera e ndiqte Erion Veliajn në çdo gjest, ndërsa inspektonte mjediset e kopshtit, bënte pyetje për përrallat që mësonin fëmijët dhe dëgjonte me vëmendje stafin e kuzhinierëve, teksa krenohej për zëvendësimin e margarinës me vajin e ullirit.

 

 

Kjo video e kuruar në çdo detaj nga zyra e shtypit e Bashkisë, synonte të shfaqte një lider politik në krye të detyrës. Por ndërsa televizionet e transmetonin kronikën e parapërgatitur me logon ‘live’, titrat njoftuan arrestimin e Veliajt me urdhër të SPAK. Në fotot e publikuara më vonë nga momenti i shoqërimit, Veliaj shfaqet i ngrysur dhe me fytyrë të tendosur, ndërsa dy agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit e përcjellin drejt një makine të zezë me një dosje në dorë.

Videoja e përurimit të kopshit ‘Luleborë’ në Yzberisht nuk është rasti i parë ku Erion Veliaj apo zyrtarë të tjerë të mazhorancës, shfaqen në materiale filmike propagandistike, të cilat i shiten publikut nga media si kronika lajmesh, duke sfiduar etikën dhe profesionalizimin në gazetari.

Një monitorim i kryer nga BIRN gjatë muajve Janar- Shkurt 2025 zbuloi se dhjetra materiale të parapërgatitura nga zyrat e shtypit pranë institucioneve kryesore ne vend, u transmetuan nga mediat kryesore audiovizive pa ndërhyrje editoriale.

Të dhënat ngrenë pikëpyetje shqetësuese, pasi kjo praktikë ngre dyshime mbi aftësinë e medias për të qenë kritike dhe shfaq një formë të re të kapjes së saj, ku në vend të censurës apo presionit të drejtpërdrejtë, qeveria mbush peizazhin mediatik me përmbajtje propagandistike, duke e shndërruar median nga një vëzhguese kritike e pushtetit në një amplifikues të tij

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related